LPFMV, Java 18 | STRUGA TRIM LUM – SILEKSI 2:3

Në një ndeshje me shumë kthesa dhe në një fushë të rënduar për lojë, për shkak reshjeve të shiut, Struga Trim Lum pësoi disfatë 2:3 kundër Sileksit në Strugë…

Pavarësisht avantazhit që kishim në dy raste (1:0, 2:1), në fund në një ndeshje që u mbyll me 5 gola, skuadra e Sileksit nga Kratova shënoi fitore 2:3.

Me eurogolin e Marjan Radeskit në pushim shkuam me epërsinë 1:0, ndërsa një gol tjetër në pjesën e dytë për skuadrën e Struga Trim Lum shënoi edhe Bassirou Compaore. Ky i fundit gjatë pjesës së dytë shënoi edhe një gol tjetër, mirëpo VAR i’a anuloi të njëjtin, pasi paraprakisht në pozicion jashtëloje kishte qenë Jarje Maudo.

RAPORTI I NDESHJES

Futbollistët e Struga Trim Lum treguan karakterin e tyre që në fillim dhe iu afruan ndeshjes me dëshirën për ta fituar. Kësisoj vetëm pas 3 minutave lojë u kanosëm përmes Altin Alijit, goditjen e të cilit e ndali portieri kundërshtarë, Xhekov.

Pas disa minutash të kaluara pa shumë raste, ishte Lasana Diako që provoi të shënoj, mirëpo pa arritur qëllimin.

Momenti më i bukur i pjesës së parë ndodhi në minutën e 22-të, kur Bassirou Compaore bëri një super asistim për Marjan Radeskin, derisa ky i fundit me shumë vetëbesim dhe në manirin e golashënuesve të mëdhenj me të majtën e tij shënoi një eurogol nga distanca për rezultat 1:0.

Vetëm 3 minuta pas këtij goli të shënuar, Altin Aliji për shkak të një dëmtimi duheshe që të braktis ndeshjen, kjo ndoshta edhe si pasojë e terrenit të rënduar, që ashtu si kalonin minutat bëhej më i vështirë për lojë.

Vendin e Alijit e zuri Memetriza Hamza, që njëherit ishte mungesa e vetme nga ai formacioni i ndeshje paraprake kundër Shkëndijës. Në vend të tij trajneri Bledi Shkëmbi në formacionin startues kishte vendosur të inkuadrojë, Ardian Zendelin.

Pjesa e parë u mbyll me vetëm një gol të shënuar dhe disa raste jo aq serioze nga skuadra jonë, dhe asnjë goditje direkte nga ana e kundërshtarit.

Për dallim nga 45 minutat e para, pjesa e dytë dhuroi më shumë gola, më shumë duele si dhe një gol të anuluar.

Mysafirët nga Kratova na ndëshkuan vetëm pas 7 minutave lojë në këtë pjesë, duke shënuar me anë të boshnjakut Aliç.

Edhe përkundër këtij goli, skuadra e menaxhoi mjaft mirë situatën dhe në aksionin e rradhës më konkret, me anë të Bassirou Compaore shënuam edhe golin e dytë, duke kaluar sërish në epërsi. Bojku në brendësi të zonës kundërshtare pasoi për Diako, i cili në shtyllën e parë gjeti Compaoren, që me mjaft zgjuarsi nga afërsia shënoi golin e tij të parë në stinorin pranveror dhe gjithsej të 13-tin në kampionat.

Comapore shënoi një gol tjetër edhe në minutën e 78-të, mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozicionit jashtë loje, në të cilin paraprakisht ndodhej Maudo, kur ky i fundit pranoi një top pas një diagonale të gjatë në thellësi nga ana e portierit Angeletti.

Ishte ky ndoshta edhe momenti i ndryshimit të rrjedhës së këtij takimi, pasi skuadra e Sileksit na ndëshkoi dy herë, edhe atë në një interval kohor prej vetëm 4 minutash.

Fillimisht në minutën e 81-të i sapoinkuadruari në lojë Nikolovski përfitoi nga një tollovi para golit të Angelettit, që nuk arriti dot të ndalë goditjen e futbollistit kundërshtarë nga afërsia, ndërsa 4 minuta më vonë pas një harkimi nga goditja e këndit, portugezi Miguel Piresh me kokë shënoi edhe golin e tretë në rrjetën tonë.

Barazimit  iu afruam në minutën e fundit të takimit, kur Vosha pasi bëri gjithçka mirë brenda zonës kundërshtare, harkoi para portës, mirëpo Maleski dhe Mici në tentativë për të shënuan penguan njëri tjetrin dhe në fund goditja e Micit përfundoi vetëm jashtë kuadrantit.

Në fund disfatë 2:3, që ishte e dyta në këtë pjesë pranverore.

STRUGA TRIM LUM – SILEKSI 2:3

Autorë të golave: M. Radeski 22’, B. Compaore 60’

Stadiumi i qytetit: Strugë

Shikues: 500

Arbitër kryesor: Stojan Trpçevski

Kartonë të verdhë: L. Diako, J. Maudo, B. Bojku, B. Ilievski

FORMACIONI:

M. Angeletti, B. Ilievski, J. Maudo, K. Mazuluksis, P. Fall, L. Diako (G. Mici 80’), A. Zendeli (A. Vosha 57’), B. Bojku, A. Aliji (M. Hamza 25’), B. Compaore (S. Jevtoski 80’), M. Radeski (H. Maleski 57’);

Trajner: Bledi Shkëmbi;