Struga Trim Lum u mund me shifrat 2:0 në transfertën ndaj Shkëndijës në Tetovë në ndeshjen e parë të stinorit pranveror…
Starti i stinorit pranveror nuk doli të jetë pozitiv për skuadrën e Struga Trim Lum. Pas më shumë se dy vitesh u mposhtëm nga Shkëndija e Tetovës me shifrat 2:0.
Që të dy golat ekipi ynë i pësoi në çerekun e fundit të ndeshjes, duke humbur mundësinë që të vazhdojë serinë e ndeshjeve pa disfatë ndaj këtij kundërshtari.
Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëroi një gjë të tillë, pasi në fushë luhej një ndeshje e barabartë dhe mbi të gjitha shumë e luftuar. Në saje të një loje të tillë, munguan rastet nga të dyja anët.

Struga Trim Lum pavarësisht posedimit të topit në 20 minutat e para, kur edhe ekzekutuam 5 goditje nga këndi, nuk arriti që të rrezikojë në asnjë rast portën e Shkëndijës, skuadër kjo që fare në fund të pjesës së parë u kanos përmes dy ndërprerjeve nga këndi.
Megjithatë falë një intervenimi të shkëlqyeshëm të portierit tonë, Angeletti, në pushim shkuam me rrjetën e paprekur.
Ashtu ishte deri në minutën e 79-të, kur Shkëndija na ndëshkoi përmes rezervistit Sebastian Spahiu. Ky i fundit në minutën e 88-të asistoi edhe në golin e dytë, të cilin e realizoi Fahd Ndzengue.
MESFUSHA VUAJTI MUNGESËN E DYSHES, SHABANI – JEVTOSKI
Trajneri Bledi Shkëmbi ishte i detyruar që në këtë ndeshje të luaj pas dyshen titullare të mesfushës, Bunjamin Shabani dhe Stefan Jevtoski. Pikërisht mungesa e tyre u vërejt shumë në takimin e sotëm, pasi mungonte ai pasimi final për sulmuesit, siç jemi mësuar ta shohim në shumicën e rasteve nga kjo dyshe.
Kjo bëri që sulmuesit tanë, Radeski dhe Compaore të mos vijnë në shprehje edhe aq shumë, njëjtë sikurse në fundin e pjesës së dytë, edhe Djorje Ivkoviç.
DISFATA E PARË PAS MË SHUMË SE DY VITESH
Disfata e sotme ndaj Shkëndijës ishte e para pas më shumë se dy vitesh. Për herë të fundit nga ky kundërshtarë ishim mundur me 4 tetor të vitit 2023, (1:0).
Që nga ajo ndeshje, Struga Trim Lum kishte regjistruar 3 fitore dhe 3 barazime, ndërsa gjithashtu edhe në dy raste i kishim eliminuar nga ndeshjet e Kupës.
Pavarësisht kësaj disfate, Struga Trim Lum vazhdon të jetë kundërshtarë më i mirë në dyluftimet ndaj Shkëndijës, me 8 fitore, 6 barazime dhe 5 disfata në ndeshjet kampionale.
Vlen të theksohet gjithashtu se ndaj Shkëndijës kemi dalë fitues edhe në tre ndeshje të Kupës, duke i eliminuar dy herë në gjysmëfinale dhe njëherë tjetër në çerekfinale.
NDESHJA E RRADHËS
Ndeshjen e rradhës do ta zhvillojmë kundër Sileksit me datë 15 shkurt në Strugë. Do të jetë kjo edhe një tjetër ndeshje derbi për skuadrën tonë, që pas 17 xhirove vazhdon të mbajë pozitën e dytë në renditje.

LPFMV, Java 17 | SHKËNDIJA – STRUGA TRIM LUM 2:0
Stadiumi i qytetit, Tetovë
Shikues: 2000
Arbitër kryesor: Igor Stojçevski
Kartonë të verdhë: B. Bojku, P. Fall
FORMACIONI:
M. Angeletti, B. Ilievski, J.Maudo, K. Mazuluksis, P. Fall, L. Diako, B. Bojku (Dj. Ivkoviç 84’), M. Hamza (A. Zendeli 71’), A. Aliji (A. Vosha 60’), M. Radeski (H. Maleski 71’), B. Compaore;
Trajner: Bledi Shkëmbi


















