LPFMV – Java 10 | FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM 1:2

Në xhiron e 10 dolëm fitues përballë FC Shkupit, duke regjistruar fitore 2:1. Edhe pse në rolin e mysafirit, këtë ndeshje për shkak të suspendimit të terrenit të skuadrës kundërshtare, e zhvilluam në Strugë…

Fitore minimale 2:1, por me shumë peshë për Struga Trim Lum në ndeshjen e vlefshme të javës së 10-të në Ligën e Parë. Falë kësaj fitoreje, neve rikthehemi sërish në pozitën e parë, ndërsa edhe njëherë tjetër në nivelin e duhur doli të jetë sulmuesi ynë nga Burkina Faso, Bassirou Compaore, që realizoi të dy golat, nga një në secilën pjesë.

Ndryshe, Struga Trim Lum gjatë pjesës së dytë krijoi një mori rastesh para portës kundërshtare, të cilat u mohuan me disa pritje të jashtëzakonshme të portierit gjerman, Grote.

COMPAORE, TOP-GOLASHËNUES…!

Ndeshja e sotme rezultoi të jetë mjaft e mirë në aspektin individual për sulmuesin tonë, Bassirou Compaore, që shënoi të dy golat dhe njëjtë sikurse ekipi i tij Struga Trim Lum, edhe ai kryeson i vetëm listën e golashënuesve.

Numri 33 hapi rezultatin në minutën e 24-të, kur përfitoi nga një harkim nga e djathta e Arbi Voshës. Në ato momente Comapore shënoi golin e tij të 10-të jubilar këtë edicion, duke marrë i vetëm kryesimin në listën e golashënuesve.

10 minuta më vonë Compaore mund të shënonte edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje, mirëpo traverza i mohoi një gjë të tillë.

Në minutën e 37-të, Memetriza Hamza tentoi nga distanca, mirëpo drejt në duart e portierit kundërshtarë, ndërsa vetëm një minutë më pas duhet vlerësuar në maksimum intrevenimin e shkëlqyer të portierit tonë, Angeletti, që nuk lejoi Hajvali të shënojë nga afërsia.

Pak para fundit të pjesës së parë, Arbi Vosha nga e djathta tentonte të futej brenda zonës dhe të gjejë hapësirë për të goditur, mirëpo nuk arriti një gjë të tillë, teksa topi përfundoi në këmbët e Maleskit, goditjen e të cilit nga brendia e zonës e ndali portieri Grote.

Pjesa e dytë nuk nisi aspak mirë për skuadrën tonë, pasi vetëm pas 10 minutave lojë në këtë pjesë mbetëm me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit me të kuq të Lasana Diako. Mirëpo kjo nuk ishte e tëra, pasi mbajtja për fanelle e njërit prej futbollistëve kundërshtarë brenda zonës, bëri që arbitri pas konsultimeve të gjata me dhomën VAR të tregoj edhe penalti në favor të skuadrës kundërshtare, që në gol më pas e shndërroi Suhel Muharemi.

Ky gol bëri që skuadra pavarësisht disavantazhit numerik, me të gjitha forcat të vërsulet në sulm, për të kërkuar golin e dytë në këtë ndeshje.

Pas një ore lojë, Hristijan Maleski me të majtën e tij tentoi nga distanca, mirëpo topi përfundoi drejt në duart e Grote. I rradhës që tentoi të shënonte ishte edhe mbrojtësi grek Mazullukis, por pa sukses, derisa në minutën e 73-të, Struga Trim Lum përfitoi penalti, pasi Neshat Murati, mbrojtësi i FC Shkupit kishte luajtur me dorë brenda zonës së rrezikut.

Compaore u ndal me shumë vetëbesim pranë topit dhe nuk gaboi, duke shënuar golin e dytë në këtë ndeshje dhe njëherit të 11-tin sezonal.

Kjo është hera e tretë që Compaore ka shënuar më shumë se një herë në një ndeshje të Ligës së parë këtë edicion, pasi paraprakisht një gjë të tillë kishte bërë edhe ndaj Bashkimit dhe ndaj Tikveshit.

Edhe minutat në vijim kaluan në dominim të plotë të skuadrës tonë, teksa në qendër të vëmendjes ishte kapiteni Bunjamin Shabani, që sot ndeshjen e nisi nga stoli. Ai në dy raste fare në fund të takimit rrezikoi portën mysafire, kur në rastin e dytë vetëm disa centimetra mungonin që të shënonte një super gol, derisa paraprakisht ishte ndalur nga portieri Grote.

Ky i fundit me një intervenim të shkëlqyeshëm ndali edhe tentativën e Besmir Bojkut në minutën e 82-të, kur strugani lëshoi një predhë të vërtetë në drejtim të portës kundërshtare, derisa në dy raste tjera Grote nuk kishte nevojë për intervenim, pasi goditjet e dy sulmuesve, Maleski dhe Compaore, nuk ishin precize.

Në fund fitore 2:1, që ishte e 8-ta këtë edicion nga gjithsej 10 ndeshje, me të cilën rikthehemi sërish në krye të renditjes tabelare.

FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM 1:2

Autorë të golave: B. Compaore 24’ 74’

Stadiumi i qytetit: Strugë

Ndeshja u zhvillua pa prezencë të shikuesve

Arbitër kryesor: Bllagojçe Rallevski

Karton të verdhë: Memtriza Hamza

Karton të kuq: Lassana Diako

FORMACIONI:

M. Angeletti, K. Mazullukis, G. Mici, P. Fall, L. Diako, A. Vosha (B. Ilievski 76’), M. Hamza, Sh. Zenku (B. Shabani 62’), S. Jevtoski (B. Bojku 46’), H. Maleski, B. Compaore (Dj. Ivkoviç 89’);

Trajner: Bledi Shkëmbi;