Struga Trim Lum aktualisht po stërvitet në Strugë, mirëpo siç kemi njoftuar ekipi nga data 17 janar do të transferohet në Antalia të Turqisë, atje ku tashmë kemi caktuar edhe 4 ndeshje kontrolluese…
Sot është dita e pestë prej kur se ekipi ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror. Nën urdhërat e safit teknik me në krye Bledi Shkëmbin, përgatitjet po vijojnë sipas planit, pavarësisht kushteve klimatike që po mbizotërojnë në vendin tonë.
Ekipi dje u stërvit në kushte bore, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe ditëve që pasojnë.

Mirëpo kushtet do të ndryshojnë rrënjësisht nga data 17 janar, kur i gjithë ekipi do të transferohet në Antalia të Turqisë, aty ku tashmë kemi caktuar edhe 4 ndeshje kontrolluese.
Ndeshjen e parë do ta zhvillojmë me datë 19 janar kundër skuadrës sllovake të Trencin, ndërsa tre ditë më vonë (22 janar) për kundërshtarë do të kemi skuadrën nga Uzbekistani, Pakhtakor FC.
Me datë 25 janar kemi caktuar një ndeshje me ekipin e njohur rus, Rubin Kazan, pjesë e së cilës skuadër janë edhe tre futbollistët shqiptarë, si Mirlind Daku, Veldin Hoxha dhe Dardan Shabanhaxhaj, derisa ndeshjen e fundit në tokën turke do ta zhvillojmë me datë 30 janar kundër skuadrës tjetër nga elita e futbollit rus, Sochi.
Ndaj këtij kundërshtari, kemi rënë dakord që të zhvillojmë një ndeshje prej 2 herë nga 60 minuta.
Këto ndeshje pritet t’i japin ekipit ritmin e duhur garues dhe mundësinë për të arritur formën e duhur para ndeshjeve zyrtare të stinorit pranveror.
Ekipi në Antalia të Turqisë do të qëndrojë deri më datë 31 janar, për tu rikthyer sërish në Strugë, aty ku do të vijojmë edhe me fazën e fundit të përgatitjeve para startit të pjesës së dytë të sezonit 2025/26, aty ku futemi si nënkampion.
Pjesën pranverore e nisim me ndeshjen e 11 shkurtit kundër Shkëndijës në Tetovë.


















