KOMUNIKATË ZYRTARE | Vasilev portieri më i ri i Struga Trim Lum

Vasko Vasilev është përforcimi i parë i Struga Trim Lum në prag të ndeshjeve të stinorit pranveror. Bëhet fjalë për një portier me përvojë në futbollin tonë vendor, aty ku së fundmi mbronte ngjyrat e Rabotniçkit…

Përforcimi i parë i Struga Trim Lum për stinorin pranveror është portieri, Vasko Vasilev. Bëhet fjalë për një portier 21-vjeçar, që skuadrës tonë i bashkohet nga rradhët e Rabotniçkit. I njëjti ka kaluar të gjitha ekipet zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë, deri te U21, për të cilën numëron 9 ndeshje.

Vasilev hapat e parë i kishte bërë te skuadra e Vardarit, ndërsa gjithashtu kishte bërë edhe karrierë ndërkombëtare me ekipin U19 të Crvena Zvezdës, dhe me ekipin U23 të Rio Ave në Portugali.

Pikërisht nga Portugalia verën e vitit 2024 ishte rikthyer në futbollin vendor, duke nënshkruar me Gostivarin, derisa verën e vitit që lamë pas ai vendosi ti bashkohet Rabotniçkit.

Struga Trim Lum është ekipi i tij i tretë në karrierën profesionale. Bazuar në cilësitë dhe të kaluarën e tij, drejtuesit e klubit vendosën të firmosin kontratë për dy vite e gjysmë.

Të njëjtën, Vasilev e nënshkroi në prezencën e Drejtorit Sportiv, Besart Isaku.