INTERVISTË | Bojan Ilievski flet për ndeshjen me Rabotniçkin

E premtja na servon ndeshjen e xhiros së tretë, të cilën do ta zhvillojmë para tifozëve tanë. Kundërshtarë këtë herë do të kemi Rabotniçkin…

Bojan Ilievski është futbollisti ynë i përzgjedhur për intervistën e rradhës në kuadër të ndeshjeve kampionale. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka folur për ndeshjen e nesërme ndaj Rabotniçkit, e vlefshme për javën e tretë të sezonit të ri.

“Gjatë gjithë javës jemi përgatitur për këtë ndeshje. Kemi bërë analizë të kundërshtarit, e dimë se cilët janë anët e tyre më të mira,  por gjithashtu kemi bërë edhe një analizë të skuadrës tonë, se ku duhet të përmirësohemi edhe më shumë.” – thotë Bojan Ilievski, i cili po kalon sezonin e tij të dytë me fanellën e skuadrës tonë.

Ilievski foli edhe për startin e sezonit të ri, e që realisht është i kënaqshëm në aspekt të rezultateve. Sipas tij, skuadra me kalimin e kohës do të tregohet edhe më e fuqishme.

“Ende jemi në fazën e rikuperimit të skuadrës mund të them. Kemi shumë lojtarë të rinj në skuadër, pastaj edhe trajner të ri, mendoj se me kalimin e kohës do të jemi edhe më të mirë. Gjithsesi se jemi të kënaqur me startin e kampionatit, kemi dy fitore, ashtu që shpresoj ta vazhdojmë këtë seri” – shprehet Ilievski, që gjithashtu dëshiron njëkohësisht skuadra të vazhdojë traditën e rezultateve pozitive ndaj kundërshtarit të nesërm, Rabotniçkit.

11 fitore, 5 barazime dhe vetëm 2 disfata është epilogu i takimeve të deritanishme ndaj “romantikëve”, ndaj të cilëve dy herë kemi triumfuar edhe në kuadër të ndeshjeve të Kupës.