Hamza flet për ndeshjen me Rabotniçkin dhe kualifikueset me Maqedoninë U21

Pas pauzës dy javore rikthehehemi sërish në aksion me ndeshjet kampionale. Kundërshtari ynë i rradhës do të jetë Rabotniçki, një skuadër kjo që gjithashtu ka një ecuri shumë pozitive…

Me pushimin ndërkombëtar të përfunduar, FC Struga Trim Lum vazhdon fushatën e saj kampionale me ndeshjen kundër Rabotniçkit në shtëpi. Në prag të këtij takimi, që në program është të dielën, foli mesfushori Memetriza Hamza, që për disa ditë ishte pjesë e përfaqësueses shpresa të vendit, duke zhvillluar dy ndeshje në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin e ardhshëm europian.

“Pas pauzës dy javore për shkak ndeshjeve ndërkombëtare, shpresoj të rikthehemi aty ku e lamë. Jemi në një seri prej 6 ndeshjeve pa humbje, me tre fitore të njëpasnjëshme, ashtu që edhe të dielën kundër Rabotniçkit do të dalim me synim fitoren, por gjithnjë duke kryer me sukses detyrat e dhëna nga ana e trajnerit. Nëse një gjë të tillë bëjmë në përpikshmëri, jam i bindur se 3 pikët e rradhës do të mbeten në Strugë.” – u shpreh Memetriza Hamza.

22-vjeçari thotë se e respektojnë Rabotniçkin, skuadër kjo që javëve të fundit është rikthyer në identitet. Njëjtë sikurse Struga Trim Lum, ashtu edhe skuadra shkupjane ka tre fitore të njëpasnjëshme në kampionat.

“E respektojmë si ekip Rabotniçkin, skuadër kjo që kohëve të fundit ka bërë ndeshje shumë pozitive, duke marrë pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë. Ata në rradhët e tyre kanë lojtar shumë cilësor, ashtu që duhet të jemi të kujdesshëm. Besoj se analizat e bëra nga ana e stafit teknik do të japin frytin e duhur në terren, aty ku edhe realisht vendoset fituesi. Ne do të bëjmë punën tonë, ashtu që shpresojmë të dalim në fund me rezultat pozitiv” – deklaroi Hamza, që gjithashtu foli edhe për dy ndeshjet e zhvilluara me ekipin përfaqësues U21 të Maqedonisë.

Ai luajti në të dyja ndeshjet kualifikuese kundër Italisë U21 dhe Armenisë U21, duke regjistruar në këtë mënyrë një jubile të vogël, shifrën prej 10 ndeshjeve me fanellën e shpresave të vendit. 

“Isha i thirrur me ekipin përfaqësues U21, ku zhvilluam dy ndeshje të forta në transfertë kundër Italisë dhe Armenisë. Ndaj këtyre të fundit dolën triumfues, ndërsa ndaj Italisë pësuam disfatë. Marrë në përgjithësi gjërat, mund të them se jam i kënaqur, duke pasur parasysh se Italia në rradhët e saja ka lojtar shumë të mirë, ku 80% prej tyre luajnë në TOP5 ligat europiane. Vërtetë ishte kënaqësi të përballesh me lojtar të kalibrit të tyre, pasi ke çfarë të mësosh” – u shpreh Hamza, i cili në ndeshjen ndaj Armenisë, assistoi në golin e dytë të realizuar nga Admir Latifi.

“Normalisht që jam i kënaqur për asistin e bërë. Me punë mund të arrihet edhe më shumë, ndaj dhe shpresojmë se do të kontribuojmë aty ku e kërkon nevoja” – deklaroi futbollisti ynë, Memetriza Hamza, që në 10 ndeshje me fanellën e përfaqësueses shpresa të vendit, numëron gjithsej 3 asiste.

Asistet nuk i mungojnë edhe me fanellën e Struga Trim Lum në ndeshjet kampionale, aty ku ka regjistruar gjithsej 4, ndërsa gjithashtu Hamza në nivel klubesh ka arritur të shënoj edhe 4 gola në gjithsej 23 takime.

Pa dyshim se këto janë statistikat e tij më të mira në futbollin profesionist dhe ky fakt e gëzon tej mase Hamzën, i cili thotë se do të ishte edhe më i lumtur në rast se në fund të sezonit me Struga Trim Lum do të arrinin objektivin, e që do ishte edhe një vend i siguruar për garat ndërkombëtare, edhe pse nuk përjashtohet edhe titulli, duke pasur parasysh se jemi ende në garë.

“Normalisht se jam i kënaqur me golat dhe assistimet që po bëj, si me ekipin përfaqësues, ashtu edhe me Struga Trim Lum. Pasi me Maqedoninë U21 nuk arritëm të jemi në mesin e dy skuadrave të para në grup, shpresoj që me Struga Trim Lum të arrijmë sa më lartë. Duke pasur parasysh se jemi ende në garë për titull, mund të them se do të luftojmë denjësisht deri në fund, ashtu që mbetet të shihet ku do të pozicionohemi…besoj të paktën Europën do sigurojmë” – e mbyll me buzëqeshje intervistën e tij, Memetriza Hamza, që të dielën kundër Rabotniçkit do të zhvillojë ndeshjen e tij të 38-të në Ligën e Parë me fanellën e Struga Trim Lum.

PËRVEÇ HAMZA, PJESË E MAQEDONISË U21 ISHTE EDHE PORTIERI VASILEV

Bashkë me Memetriza Hamza, pjesë e Maqedonisë U21 nga rradhët e Struga Trim Lum për dy duelet kualifikuese të muajit mars, ishte edhe portieri Vasko Vasilev.

Për dallim nga Hamza, që luajti titullar në të dyja ndeshjet, atë kundër Italisë të zhvilluar në Empoli dhe atë kundër Armenisë në Jerevan, Vasilev nuk morri shansin nga ana e trajnerit Goran Staniq.

ALBAN ROÇI PJESË E MAQEDONISË U19   

Përveç dyshes, Hamza-Vasilev, që ishin ftuar nga ana e trajnerit Goran Staniq te përfaqësuesja U21 e Maqedonisë, nga rradhët e Struga Trim Lum, një tjetër futbollistë që ishte ftuar në përfaqësuese, ishte edhe Alban Roçi.

Bëhet fjalë për një futbollistë 18-vjeçar që luan në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Roçi ishte ftuar te përfaqësuesja U19 e Maqedonisë, që udhëhiqet nga Dimitar Kapinkovski. Ai bashkë me shokë ishin pjesë e turneut kualifikues në Holandë, aty ku Maqedonia U19 zhvilloi tre ndeshje.

Në dy ndeshjet e para, kundër Ishujve Faroe (0:0) dhe Holandës (0:4), Alban Roçi në lojë inkuadrohej nga bankina, derisa në ndeshjen e fundit kundër Moldavisë (1:1), talenti strugan i Struga Trim Lum, luajti që nga fillimi e deri në fund.

Për Roçin tonë ishin këto tre ndeshjet e tij të para me fanellën e përfaqësueses U19 të Maqedonisë, derisa i njëjti kishte qenë pjesë zinxhir edhe e ekipeve përfaqësuese U18 dhe U17.