Fitorja ndaj Pelisterit | Ja edhe reagimi i trajnerit Bledi Shkëmbi

Trajnerin Bledi Shkëmbi e ka kënaqur rezultati dhe tre pikët e fituara ndaj Pelisterit, por jo edhe paraqitja e skuadrës. Struga Trim Lum mundi skuadrën nga Manastiri me shifrat 2:0, falë “dopietës” së Maleskit në 10 minutat e fundit të takimit…

Vendi i parë në renditje për Struga Trim Lum, pasi të hënën mposhti Pelisterin me shifrat 2:0, falë “dopietës” së Hristijan Maleskit.
Një fitore e arritur me shumë mund në fund të takimit, që trajneri Bledi Shkëmbi, thotë se është dëshmi e aftësisë së ekipit për të reaguar kur është e nevojshme.

 “Çdo fitore është e vështirë, edhe kjo e fundit kundër Pelisterit ishte e tillë. Nuk mendoj që bëmë një ndeshje shumë të mirë, por e rëndësishme ishte që morëm 3 pikë dhe kryesojmë renditjen për momentin.”  – u shpreh fillimisht trajneri Bledi Shkëmbi.

“Fitorja erdhi në fund dhe është normale që fitoret të arrihen edhe në fund. Patjetër kundërshtari na e bëri të vështirë, por edhe ne nuk ishim në ritmin e duhur, nuk kishim shpejtësinë e duhur me manovrën sulmuese.” – deklaroi Shkëmbi, që i gëzohet faktit se brenda skuadrës ka një grup të gjërë lojtarësh që janë të gatshëm gjithnjë të sakrifikojnë për sukseset e skuadrës.

“Jam shumë i kënaqur që fitoren e arritëm me golat e Maleskit dhe që gjithë lojtarët që hyn bënë maksimumin që ta fitojmë ndeshjen. Mendoj që këta lojtarë na bëjnë që të kemi një grup të gjërë lojtarësh që janë të gatshëm të sakrifikojnë për sukseset e skuadrës.” – përfundoi intervistën e tij trajneri Bledi Shkëmbi.