Fitorja me manita ndaj Makedonija GJ.P | Flet trajneri Bledi Shkëmbi

Fitorja e sotme 5:0 në Shkup ndaj Makedonija Gj.P na siguroi një vend në mesin e 8 skuadrave më të mira që do të luftojnë për trofeun e Kupës. Kjo fitore, e para në këtë kompeticion, ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Bledi Shkëmbi, që në këtë mënyrë vazhdon serinë e rezultateve pa humbje në krye të Struga Trim Lum…

Ndeshja e sotme kundër Makedonija Gj.P, për trajnerin Bledi Shkëmbi, ishte e 10-ta zyrtare në krye të bankinës së Struga Trim Lum. 8 fitore dhe 2 barazime është epilogu i tyre, që e bënë Shkëmbin si një ndër trajnerët më të suksesshëm të skuadrës tonë në sezonin debutues.

Ndryshe, ndeshja kundër Makedonija GJ.P ishte debutuese për Shkëmbin me skuadrën tonë në garat e Kupës, aty ku e filluam furrishëm me një fitore të thellë 5:0.

“Për fat të mirë dhe për meritë të djemve, arritëm që ta fillojmë me këmbë të mbarë rrugëtimin tonë edhe në kuadër të ndeshjeve të Kupës. Jam shumë i kënaqur me këtë fitore, me djemtë për dëshirën dhe luftën që shfaqën në këtë ndeshje. Është shumë pozitive për ne si skuadër që grupi po zgjerohet dhe të gjithë lojtarët që luajnë nga fillimi, por edhe ata që inkuadrohen nga bankina, nuk kanë asnjë diferencë, të gjithë mundohen të bëjnë më të mirën” – u shpreh Bledi Shkëmbi, që foli edhe për golin debutues të sulmuesit, Djordje Ivkoviç.

“Më vjen mirë për golin që shënoi dhe për atë që u mundua të jap sot në fushën e blertë, mirëpo mund të them se Ivkoviç është akoma larg formës më të mirë që neve e kërkojmë nga ai” – tha trajneri Shkëmbi, i cili edhe sot u tregua shumë i saktë në zëvendësimet e bëra. Nga gjithsej 5 golat e shënuar ndaj Makedonija GJ.P, 3 prej tyre erdhën nga futbollistë të inkuadruar nga banka rezervë.

“Është meritë dhe profesionalizëm i këtyre futbollistëve, që kur futen në fushën e lojës, kanë dëshirën maksimale për të bërë mirë dhe për të ndihmuar skuadrën. Mendoj se kjo është gjëra kryesore dhe shumë e vlefshme për skuadrën” – përfundoi intervistën trajneri ynë, Bledi Shkëmbi, që nuk ka kohë shumë për pushim, pasi që nga nesër duhet të fokusohet për ndeshjen kampionale kundër AP Brera, që në program është të shtunën e 25 tetorit.