Faza përgatitore në Antalya, flet trajneri Bledi Shkëmbi

Struga Trim Lum dje është rikthyer në Strugë, pas kampit stërvitor prej dy javësh në Antalya të Turqisë. Skuadra përveç përgatitjeve tekniko-taktike, zhvilloi edhe 4 ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të fuqishëm…

Periudhën dy javore në Antalya të Turqisë, skuadra e ka shfrytëzuar në maksimum. Stafi teknik me në krye trajnerin Bledi Shkëmbi ka nxjerrë më të mirën nga lojtarët, të cilët në mënyrë shumë profesionale i janë kundërpërgjigjur të gjitha kërkesave.

Kjo ka lënë të kënaqur edhe vetë trajnerin Shkëmbi, që ka folur më gjërësisht rreth fazës kryesore të përgatitjeve në Turqi.

“Jam shumë i kënaqur nga angazhimi i futbollistëve. Që të gjithë janë munduar të bëjnë maksimumin dhe mendoj që kemi bërë një punë të mirë në Antalya” – u shpreh trajneri Shkëmbi, që foli gjithashtu edhe për 4 ndeshjet e zhvilluara në tokën turke.

“⁠Bëmë 4 ndeshje dhe në përgjithësi mund të them se jam i kënaqur me futbollistët. Patjetër që lodhja ndikon te performanca e futbollistëve, por unë për atë që ata dhanë në fushë jam i kënaqur.”

Ndeshjen e fundit në Antalya kundër ekipit rus të Sochi, e zhvilluam në tre pjesë të ndara me nga 40 minuta. Një gjë të tillë kishte kërkuar vetë trajneri ynë, me qëllim që edhe futbollistët me më pak minuta të merrnin më shumë hapësira në ndeshjen në fjalë.

Skuadra në 4 ndeshje që zhvilloi në këto përgatitje, shënoi 4 gola, apo nga një gol për ndeshje, por që ishte shumë larg mesatares nga pjesa pranverore në kampionatin tonë vendor, kur e mbyllëm si skuadra më efikase me 40 gola, apo 2.5 gola për ndeshje. Arsyeja, sipas trajnerit: “E para është që kundërshtarët ishin të fortë dhe është normale të kishim vështirësi në shënimin e golave. Megjithatë e thashë pak më lartë që pavarësisht rezultateve të ndeshjeve, jam i kënaqur me skuadrën”.

Skuadra dje në mesditë mbërriti në Strugë, ndërsa pas intensitetit të lartë të përgatitjeve që kishim në Turqi, trajneri Shkëmbi ka vendosur që të ju jap tre ditë të lira.

Skuadra në fushën e blertë rikthehet të martën, saktë një javë para startit të sezonit pranveror me 11 shkurt, kur në Tetovë do të përballemi me Shkëndijën.

Do luajmë përballë kundërshtarit më të fortë të kampionatit, për mendimin tim, ne do të bëjmë maksimumin që të vazhdojmë me rezultatet pozitive, ashtu edhe si e mbyllëm pjesën e parë”.

Pas 16 xhirove të para të sezonit 2025/26, Struga Trim Lum grumbulloi 41 pikë, duke u renditur në pozitën e dytë, me vetëm një pikë më pak se skuadra kryesuese.