Fjalët e kapitenit Bunjamin Shabani në prag të ndeshjes kundër Arsimit para pushimit, një ndeshje kjo e vështirë dhe një provë e rëndësishme pas dy fitoreve të njëpasnjëshme ndaj skuadrave shkupjane, FC Shkupi dhe Makedonija GJ.P…
Kapiteni Bunjamin Shabani ka dhënë opinionin e tij në prag të ndeshjes kundër KF Arsimit. I njëjti thotë se skuadra është përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, duke kërkuar vazhdimin e një serie më të gjatë të fitoreve.
“Ne për çdo ndeshje përgatitemi maksimalisht dhe me shumë seriozitet, pa marrë parasysh kundërshtarin. Mund të them se nuk ka ndeshje të lehta në kampionat, ashtu që edhe për këtë ndeshje jemi përgatitur mirë dhe besoj të bëjmë maksimumin për të marrë pikët maksimale nga kjo ndeshje” – u shpreh kapiteni Bunjamin Shabani.

Skuadra nga Çegrani është treguar shumë efikase, sidomos në ndeshjet e fundit, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim, thotë kapiteni Shabani.
“Si çdo skuadër, edhe neve kemi mënyrën tonë të lojës. Në çdo ndeshje mundohemi të jemi sa më kompaktë dhe të fokusuar në lojë për të dhënë më të mirën. KF Arsimi e dimë se është një skuadër shumë e rrezikshme në vijën e sulmit, ndaj duhet të jemi më të kujdesshëm, në rast se dëshirojmë të arrijmë në fund qëllimin, e që pa dyshim se është fitorja.” – deklaroi Bunjamin Shabani, duke kërkuar që skuadra të vazhdojë me lojën ofenzive dhe shënimin e golave.
“Neve si Struga Trim Lum jemi të fokusuar për të bërë paraqitje të mira në çdo ndeshje dhe gjithashtu të luajmë futboll të bukur dhe ofenziv. Kjo ka dhënë rezultatin e duhur deri më tani, pasi realisht nuk ka munguar edhe efikasiteti, ashtu që besoj se do të vazhdojmë të shënojmë sa më shumë në çdo ndeshje, përfshirë këtu edhe ndeshjen e nesërme kundër KF Arsimit” – tha Shabani.
Kujtojmë, Struga Trim Lum ka sulmin më të mirë në kampionat. Pas 12 xhirove të kaluara, skuadra jonë ka shënuar 28 gola, 12 prej të cilëve janë pjesë e Bassirou Compaore.


















