Struga Trim Lum në ndeshjen e saj të 12-të këtë edicion në Ligën e Parë, regjistroi fitoren e saj të 9-të, duke kaluar sërish në pozitën e parë në renditje…
Fitorja e sotme 2:0 ndaj Makedonija GJ.P, na riktheu sërish në pozitën e parë në renditje. Një gjë e tillë pa dyshim se ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Bledi Shkëmbi. Ai pas përfundimit të ndeshjes komentoi fitoren ndaj skuadrës shkupjane, që ishte njëherit e treta brenda këtij edicioni, përfshirë këtu edhe fitoren 5:0 në kuadër të ndeshjes së Kupës.
“Jam i kënaqur me ekipin, sidomos në pjesën e parë. Mendoj që bëmë një ndeshje pozitive.” – thotë trajneri Bledi Shkëmbi, i cili si duket i’a ka marrë masën skuadrës së Makedonija Gj.P.
Nën drejtimin e tij këtë edicion ndaj skuadrës shkupjane kemi regjistruar 3 fitore, me një gol-averazh 9:0.
“Nuk është se kemi ndonjë përgatitje të veçantë për skuadra të veçanta. Thjeshtë, synimi ynë që është të bëjmë sa më mirë lojën tonë, të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, që në fund të fitojmë 3 pikët, që janë të rëndësishme”.

Bledi Shkëmbi foli edhe për debutuesin Florian Roçi, që morri besimin e tij që nga minuta e parë. 18-vjeçari luajti deri në minutën e 62-të, ndërsa brenda këtyre minutave, përveç që bëri mirë në pozicionin e vendosur nga trajneri, ai në minutën e 33-të arriti madje edhe të shënojë.
“Floriani është një lojtar me te ardhme. Sot i dhamë mundësinë për të luajtur dhe patjetër që si ndeshje e parë për të, jemi të kënaqur se si u paraqit! Mirëpo pavarësisht kësaj, ai ka një rrugë të gjatë para dhe i duhet shumë, shumë punë që të arrijë sa më lartë” – ishin këto fjalët e Bledi Shkëmbit, që thuajse deri në këto momente ka provuar pjesën më të madhe të futbollistëve që ka në disponim.


















