E premtja na servon një ndeshje tjetër në kampionat, këtë herë ndeshjen në transfertë kundër Tikveshit…
Tikveshi do të jetë kundërshtari ynë i rradhës në ndeshjet kampionale, aty ku do të synojmë edhe fitoren e parë në transfertë. Pas serisë prej 4 fitoreve të njëpasnjëshme në terren vendas, që e rrumbullaksuam të hënën kundër Sileksit, tashmë skuadra është gati për të nisur një seri fitoresh edhe në ndeshjet si mysafir.
Kujtojmë, në ndeshjen e fundit të edicionit të kaluar këtu në Kavadar, Struga Trim Lum kishte regjistruar fitore minimale 1:0, falë golit të shënuar nga Memetriza Hamza, i cili njëherit është edhe i përzgjedhuri ynë për të folur për këtë transfertë të vështirë.
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Kemi punuar maksimalisht gjatë javës dhe të gjithë jemi të fokusuar për ndeshjen. E dimë që na pret një takim i vështirë, por kemi besim te vetja dhe te grupi. Shpresojmë që me angazhimin dhe disiplinën tonë të arrijmë rezultatin që dëshirojmë nesër në Kavadar” – deklaroi Memetriza Hamza, i cili premton shumë luftë nesër, edhe atë që nga minuta e parë, e deri në fund për të arritur fitoren e parë këtë edicion në ndeshjet në transfertë.

“Patjetër që e respektojmë shumë Tikveshin dhe e dimë që kanë një skuadër të fortë, sidomos pas fitores ndaj Shkëndijës, por ne kemi cilësitë dhe forcën tonë. Kemi ardhur këtu të përgatitur dhe do të japim maksimumin që nga minuta e parë deri në fund për të kërkuar fitoren e parë në transfertë.” – u shpreh Hamza, që është gati për të shënuar edhe golin e parë në kampionat pikërisht nesër kundër Tikveshit!
“Unë gjithmonë mundohem të jap maksimumin për skuadrën, nëse do të kem mundësi të shënoj sigurisht që do të ishte shumë mirë, por më e rëndësishmja është që ne si ekip të marrim rezultatin e dëshiruar. Shpresoj që goli i parë i sezonit të vijë sa më shpejt, e pse jo pikërisht në ndeshjen e nesërme kundër Tikveshit” – përfundoi deklaratën e tij, Hamza, që të hënën kundër Sileksit rrumbullaksoi shifrën e 50 ndeshjeve me fanellën e Struga Trim Lum në ndeshjet e Ligës së Parë, aty ku numëron edhe 4 gola, që të gjithë të shënuar edicionin e kaluar.


















