Andi Demiri, talenti me origjinë nga Tearca, mirëpo që si futbollistë u ndërtua në Francë, duke qenë edhe pjesë e skuadrës së njohur të LOSC Lille, edhe zyrtarisht është pjesë e skuadrës së Struga Trim Lum…
Futbollistët e rinj janë e ardhmja e një klubi, ndërsa duke u nisur nga ky parim, drejtuesit e Struga Trim Lum, me shumë seriozitet po punojnë në sjelljen e talentëve të rinj, fryti i të cilëve pritet të jap rezultatin e duhur vitet në vijim.
Një talent tjetër që i bashkohet familjes së Struga Trim Lum, është edhe Andi Demiri, futbollisti me origjinë nga Tearca e Tetovës, por që si futbollistë është ndërtuar në Francë. Ai kishte luajtur me ekipin e Ëasquehal U19, ndërsa nga vera e vitit 2024 ishte bashkuar me ekipin e mirënjohur francez të LOSC Lille.
Pikërisht falë talentit që posedonte Demiri, i njëjti shumë shpejtë u ftua edhe te kombëtarja U19 e Kosovës, ndërsa një periudhë ai ishte stërvitur edhe me ekipin e parë ‘dardan’ të udhëhequr nga strategu gjerman, Franko Foda.
Mjaftoi kjo CV e tij, e mbi të gjitha cilësitë që posedon ky 19-vjeçar, që drejtuesit e Struga Trim Lum të vihen në aksion dhe të bindin Andin që të veshë fanellën “bardhekuq”. Me Andin Struga Trim Lum ka firmosur kontratë dy vjeçare.

Andi luan si qendërmbrojtës, ndërsa gjatësia e tij prej 192 cm që në këtë moshë, bëjnë që neve të besojmë shumë për të ardhmen tek ky futbollistë, që për herë të parë do të luaj në futbollin e Maqedonisë, nga ku edhe ka origjinën.
Andi në këtë mënyrë u bashkëngjitet emrave të tjerë të rinj të skuadrës së Struga Trim Lum, si Agon Demiri (16-vjeç), Alban Roçi (18 vjeç), Florian Roçi (19 vjeç), Erand Ziba (19 vjeç), Altin Aliji (20 vjeç), Bleron Ramadani (20-vjeç), Daniel Kehinde (20 vjeç), Ardian Zendeli (21 vjeç) si dhe treshes Memetriza Hamza, Vasko Vasilev dhe Andrej Jovçevski, që janë të moshës 22 vjeçare.
Pra një skuadër e plotë me një portier madje rezervë, të moshës nga 16 deri 22 vjeç, që bëjnë të besojmë fuqishëm në ardhmërinë e klubit.



















