AP Brera është kundërshtari ynë i rradhës në kampionat, aty ku kemi bërë shumë mirë në dy ndeshjet e fundit. Dy fitore, me 6 gola të shënuar dhe asnjë të pranuar ndaj Bashkimit dhe Sileksit, na bëjnë të besojmë shumë edhe në ndeshjen e nesërme kundër AP Brera…
Marco Angeletti, gardiani italian që po zhvillon sezonin e tij të parë në elitën e futbollit tonë vendor, ka dhënë opinionin e tij në prag të ndeshjes së nesërme kundër AP Brera. Ndeshja e nesërme kundër skuadrës nga Strumica do të jetë gjithsej e 20-ta në Ligën e Parë, aty ku nesër do të kërkojmë fitoren e 6-të, po aq sa ka për momentin kundërshtari ynë, teksa 8 ndeshje janë mbyllur me barazime.
“Kemi analizuar AP Brera, ashtu që mendoj se të gatshëm presim ndeshjen e nesërme. Edhe pse dy rezultatet e fundit nuk kanë qenë në favorin tonë, nesër premtoj se do të japim gjithçka për të marrë tre pikët e plota në ndeshjen para tifozëve tanë.” – u shpreh Marco Angeletti.
Gardiani italian i Struga Trim Lum, thotë se ka ardhur momenti për të marrë fitoren e parë këtë edicion ndaj këtij kundërshtari, pasi në dy ndeshjet e para të këtij edicioni dështuam të bëjmë një gjë të tillë.

“Është e vërtetë që disa rezultate në këtë gjysmë të dytë të sezonit nuk kanë qenë të shkëlqyera, përfshirë këtu edhe dy ndeshjet ndaj AP Brera, dhe sinqerisht unë si Marco, nuk mund t’ju jap asnjë arsye, por patjetër që duhet të përqendrohemi në të ardhmen dhe të sigurojmë një fitore në ndeshjen e nesërme për të nxjerrë më të mirën në këto ndeshje të fundit” – deklaroi Angeletti.
Për dallim nga skuadra jonë, AP Brera po lufton për mbijetesë, ashtu që pikët për këtë skuadër janë të rëndësishme, njëjtë sikurse edhe për skuadrën tonë, që kërkon të siguroj Europën.
“AP Brera është një skuadër që nuk duhet nënvlerësuar. Duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhen, sipas mendimit tim ata do të luajnë me të gjitha forcat e tyre nesër. Por, gjithashtu mendoj se mbështetja e tifozëve tanë nesër do të na japë shtytjen shtesë që mund të na nevojitet për të arritur qëllimin final” – u shpreh Angeletti, që rezulton të jetë një ndër portierët më të mirë këtë edicion në Ligën e Parë. Angeletti në 25 ndeshje të zhvilluara në Ligën e Parë, në plotë 15 prej tyre e ka mbajtur portën të paprekur.
“Deri më tani, jam mjaft i kënaqur me sezonin që po zhvillojmë. Tani na kanë mbetur këto katër finale për të provuar dhe ëndërruar më shumë. Nuk do të doja të parashikoja rezultatin, por qëllimi ynë është padyshim të fitojmë dhe të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur.” – përfundoi intervistën e tij italiani Angeletti, që po zhvillon sezonin e tij të parë në elitën e futbollit tonë vendor.


















