FC Shkupi është kundërshtari ynë i rradhës. Është kjo një mundësi e mirë për tu rikthyer tek fitoret dhe për të dëshmuar se rezultatet e stinorit vjeshtorë nuk ishin të rastësishme…
“Normalisht se jemi gati për ndeshjen e nesërme dhe ndoshta edhe për fitoren e parë në stinorin pranveror.” – thotë Bojan Ilievski në prag të ndeshjes kampionale kundër FC Shkupit.
Mbrojtësi i krahut të djathtë dhe njëherit anëtar i përfaqësueses së Maqedonisë pranon se Struga Trim Lum ndodhet në një krizë rezultatesh, por që shumë shpejtë pritet të këndellet dhe të kap një seri të fitoreve.
“Jemi në një krizë të vogël dhe mendoj se ndeshja kundër FC Shkupit vjen në momentin e duhur për të dalë nga kjo krizë dhe të ju rikthehemi fitoreve dhe të tregojmë se ato rezultate që i kishim arritur në vjeshtë, nuk ishin të rastësishme.” – deklaroi Ilievski, që thotë se ekipi edhe kundër FC Shkupit do të futet në lojë sikur çdo skuadre tjetër, pavarësisht pozitës momentale në të cilën ndodhet.

“Neve nuk nënvlerësojmë asnjë skuadër. Kjo vlen edhe për kundërshtarin e nesërm. Mund të them se ndaj çdo skuadre përgatitemi njëjtë, pavarësisht ndaj cilës skuadër luajmë, atë të vendit të parë, apo të fundit.” – përfundoi intervistën Ilievski, i cili nesër pritet të zhvillojë ndeshjen e tij numër 60-të me fanellën e Struga Trim Lum.
Ndryshe, mbrojtësi ynë njëkohësisht kundër FC Shkupit mund të regjistrojë paraqitjen e 180-të në ndeshjet e Ligës së Parë.


















