Me ndeshjen e sotme kundër KF Besa Dobërdoll, kemi mbyllur serinë e ndeshjeve kontrolluese në prag të stinorit pranveror, që starton fundjavën e ardhshme…
Ndeshjen gjenerale kundër KF Besa Dobërdoll në prag të startit të stinorit pranveror e zhvilluam sot në qytetin e Kërçovës. Në një ndeshje mjaft të bukur për syrin e shikuesit, në fund pësuam disfatë minimale 1:0, edhe pse lehtë mund të ndodhte që edhe neve të dalim fitues.
E themi këtë, pasi skuadra tregoi një lojë mjaft cilësore, mirëpo sërish sulmi dështoi për të kurorëzuar me gol aksionet e shumta dhe rastet e krijuara para portës kundërshtare.
Kështu, në pushim shkuam me një gol disavantazh, pasi Shefiti na ndëshkoi në minutën e 18-të.

Pjesa e dytë foli në anën e skuadrës tonë, ndërsa vetëm pas dy minutave lojë në këtë pjesë, Bunjamin Shabani, ishte i pafat, duke goditur shtyllën.
Shumë pranë golit ishim edhe në minutën e 57-të, këtë herë me Hristijan Maleskin, që sërish goditi shtyllën e portës kundërshtare.
Sulmet vijuan në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo sërish mungonte finalizimi, ashtu siç ndodhi edhe në minutën e 82-të, kur Memtriza Hamza sërish goditi shtyllën.

Kështu në fund ndeshja u mbyll me vetëm një gol të shënuar në rrjetën tonë, ndërsa edhe përkundër tre shtyllave dhe disa rasteve tjera konkrete para portës kundërshtare, na mungoi goli edhe sot.
Shpresojmë që i njëjti të mos na mungoi edhe në ndeshjen e parë të stinorit pranveror të dielën e 16 shkurtit kundër Gostivarit në Shkup, kur edhe zyrtarisht starton pjesa pranverore në elitën e futbollit vendor.
NDESHJE KONTROLLUESE
STRUGA TRIM LUM – KF BESA DOBËRDOLL 0:1
Stadiumi i qytetit – Kërçovë
FORMACIONI
V. Qoshevki, B. Ilievski, A. Kasami, B. Krivanjeva, N. Vlajkoviç, S. Spirovski, B. Bojku, M. Hamza, Sh. Zenku, B. Shabani, L. Kehinde;
Luajtën edhe: S. Radiç, H. Maleski, M. Jarjué. S. Jevtoski, F. Tairi, K. Ristevski;