AntalyaCamp, mbyllim ndeshjet kontrolluese këtu në Turqi, nesër rikthehemi në Strugë

Mesditën e sotme zhvilluam edhe ndeshjen e pestë dhe të fundit kontrolluese në kuadër të përgatitjeve në Antalya të Turqisë. Nesër rikthehemi në Strugë, për të vijuar me përgatitjet e fundit para startit të stinorit pranveror, që nis me datë 16 shkurt…

www.fcstruga.com___________________________________________________________________________________

Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në kampin stërvitor në Antalia të Turqisë, Struga Trim Lum pësoi disfatë minimale 1:2 nga skuadra sllovake e MFK Zemplín Michalovce. Ishte kjo disfata e dytë në tokën turke, pas asaj nga Rubin Kazan (0:1), teksa fitoren e vetme e kishim regjistruar ndaj polakëve të Korona Kielce (1:0).

Këtu në Antalia, gjithashtu ekipi kishte barazuar pa gola edhe ndaj hungarezëve të Debrecen dhe skuadrës së FC Kyzylzhar nga Kazakistani.

Fillimi i takimit të sotëm kundër sllovakëve të MFK Zemplín Michalovce doli të jetë shumë i kujdesshëm nga të dyja palët dhe loja zhvillohej kryesisht në mesfushë. Të parët që u kanosën ishin futbollistët e MFK Zemplín Michalovce, edhe atë pas një çerek orë loje, mirëpo goditja e Marcin përfundoi jashtë shtyllës së majtë të portierit Stevkovski.

Struga Trim Lum në aksionin e parë më konkret para zonës kundërshtare përfitoi një penalti, të cilën në gol e shndërroi sulmuesi Lanre Kehinde. E gjithë kjo ndodhi në minutën e 29-të, ndërsa nuk zgjati shumë dhe vetëm dy minuta më pas, arbitri tregoi penalti edhe për ekipin kundërshtarë, që në ato momente barazoi shifrat në 1:1 me anë të Marcin.

Pas këtij goli të pranuar skuadra nuk reagoi mirë, teksa ekipi kundërshtarë përmes një akisoni të shpejtë në minutën e 35-të shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Stevkovskit.

Këtë herë për MFK Zemplín Michalovce, realizoi Kyziridis.

Ekipi tentoi të rikthehet pas këtyre dy golave të shpejtë të kundërshtarit, me anë të Vlajkoviç, i cili prodhoi një goditje mjaft të rrezikshme drejt portës kundërshtare, mirëpo pa arritur që të tund rrjetën e Budinskyt.

Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Qatip Osmani në lojë inkuadroi plotë 6 emra të rinj, Spirovski, Ristevski, Ilievski, Hogan, Jevtovski dhe Compaore.

Kjo bëri që skuadra jonë të kontrolloj mjaft mirë mesfushën dhe të ketë më shumë posedim të topit, mirëpo realisht edhe në këtë pjesë munguan topat e fundit për sulmuesin Kehinde, i cili së bashku me portierin Stevkovski dhe dy mbrojtësit Krivanjeva dhe Fall, ishin ndër futbollistët që luajtën gjatë gjithë ndeshjes.

Compaore edhe pse në lojë u inkuadrua në fillimin e pjesës së dytë, 10 minuta para fundit të takimit për shkak të një dëmtimi, u zëvendësua nga i riu Anes Maksutoski, për të cilin ishte kjo ndeshja debutuese me fanellën e Struga Trim Lum.

Në mungesë të ndonjë rasti konkret, vlen të regjistrohen disa tentativa të Kehinde, që në vazhdimësi mbulohej nga 2-3 futbollistë kundërshtarë, ndërsa në anën tjetër edhe Stevkovski ia doli t’i priste të dyja goditjet e zëvendësuesit, Ramos.

Ekipi nesër do të rikthehet në Strugë, aty ku trajneri Osmani me stafin e tij do të përgatisin skuadrën edhe për ndeshjen gjenerale, të fundit para fillimit të stinorit pranveror, që starton me 16 shkurt.  

Antalya Camp

FC Struga – MFK Zemplín Michalovce 1:2 (1:2)

Golat: Kehinde (31’ pen.) – Marcin (33’ pen), Kyziridis (35’)

FORMACIONI:

Stevkovski – Kasami (46. Spirovski), Radiç (46. Ristevski), Krivanjeva – Vlajkoviç (46. Ilievski), Hamza (46. Hogan), Shabani (60. F. Tairi), Bojku (46. Jevtovski), P. Fall – Maleski (46. Compaore – Maksutoski 80’), Kehinde

Trajner: Qatip OSMANI